Derbi i madh mes Barcelonës dhe Real Madridit, i njohur si “El Clasico”, po afrohet, ndërsa tensionet mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll nuk mungojnë as jashtë fushës.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thumbuar rivalin e përjetshëm, Real Madridin, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e një skuadre me shumë yje, në një deklaratë që lidhet edhe me përbërjen e ekipit madrilen dhe transferimin e Kylian Mbappes.
“E thashë! Të kesh më shumë se një gjel në të njëjtin kafaz pule nuk mund të funksionojë, kurrë. Prioriteti në futboll është ekipi dhe fryma e ekipit. Nëse nuk i ke këto gjëra, projekti nuk do të funksionojë. Kjo është një nga pikat e forta të Barcelonës. Ne kemi talente të shkëlqyera, lojtarë të La Masias, lojtarë që vijnë nga kultura të tjera të futbollit, dhe më pas arrijmë të formojmë një ekip midis tyre me harmoni që funksionon mirë”, deklaroi Laporta për gazetën “L’Équipe”.
Ai vlerësoi gjithashtu punën e trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv Deco, duke i cilësuar si figura të rëndësishme në ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe harmonike.
Përplasjet mes dy klubeve janë shtuar edhe për shkak të çështjes “Negreira”, në të cilën Real Madridi ka ngritur akuza ndaj Barcelonës. Kjo çështje ka thelluar tensionet mes drejtuesve të dy klubeve.
“El Clasico” i parë i këtij sezoni do të zhvillohet të dielën në “Camp Nou”, me fillim nga ora 21:00, në një përballje që pritet të tërheqë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Laporta thumbon Real Madridin para “El Clasicos”: Më shumë se një gjel në të njëjtin kafaz nuk funksionon appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




