Pas Evropës fshihet një rezervë e madhe energjetike: miliona tonë naftë bruto, dizel dhe karburante të tjera, të ruajtura për raste krizash të mëdha të furnizimi
Por, ndërsa qeveritë po përgatiten t’i përdorin sërish këto rezerva emergjente, kush e ka në të vërtetë çelësin?
A mundet Brukseli të urdhërojë nxjerrjen e naftës në treg, apo vendimi u takon kryeqyteteve kombëtare?
Përgjigjja përfshin një kombinim kompleks të rregullave të BE-së, sovranitetit kombëtar dhe koordinimit ndërkombëtar.
Komisioni Evropian përcakton rregullat dhe monitoron nëse vendet anëtare mbajnë rezerva të mjaftueshme nafte.
Megjithatë, vetë rezervat mbeten nën kontrollin e shteteve kombëtare, ndërsa çlirimet e mëdha të koordinuara ndërkombëtarisht menaxhohen përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), me seli në Paris.
“Vendimi për çlirimin e rezervave dhe mënyra e organizimit të tij i takojnë IEA-së. Ne jemi të gatshëm të mbledhim grupin e koordinimit për naftën ose, nëse është e nevojshme, grupin e punës së BE-së për sigurinë energjetike, për të koordinuar më tej dhe për të vlerësuar situatën”, deklaroi të hënën një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Komentet erdhën pas njoftimit të G7 se pritet të hidhen në treg rreth 100 milionë fuçi naftë gjatë katër muajve të ardhshëm.
Rezervat e dizelit do të përdoren më herët, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të zbutur frikën për ndërprerje të furnizimit.
Ende nuk është bërë e qartë se sa naftë bruto dhe sa dizel do të çlirohen.
Para njoftimit zyrtar, diplomatë të BE-së i thanë Euronews se sasia pritej të ndahej në mënyrë të barabartë mes naftës bruto dhe dizelit.
Në mars, vendet evropiane kontribuuan me 107.5 milionë fuçi në një çlirim emergjent prej 400 milionë fuçish të koordinuar nga IEA, pasi lufta SHBA-Izrael kundër Iranit shkaktoi tronditje në tregjet globale.
Kontributi evropian përbënte rreth një të katërtën e totalit.
Nga këto 107.5 milionë fuçi, 32.7 milionë erdhën nga rezervat emergjente shtetërore, ndërsa pjesa tjetër nga rezervat e detyrueshme që mbahen nga industria.
Amerikat kontribuuan me 195.8 milionë fuçi, ndërsa rajoni Azi-Paqësor me 108.6 milionë fuçi.
“Mburoja” 90-ditore
Sa naftë mban realisht Evropa në rezervë për raste emergjente?
Sipas rregullave të BE-së, çdo shtet anëtar duhet të mbajë rezerva emergjente të barabarta me të paktën 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm.
Por nuk ekziston ndonjë rezervuar gjigant evropian i naftës që kontrollohet nga Brukseli.
Rezervat mbahen në nivel kombëtar: drejtpërdrejt nga qeveritë, përmes agjencive të specializuara kombëtare të rezervave ose si rezerva të detyrueshme të mbajtura nga kompanitë private të industrisë.
Shpërndarja e tyre krijon gjithashtu disa qendra të rëndësishme.
Nga rreth 39 milionë tonë metrikë rezerva emergjente të dizelit dhe gazolit në BE – ekuivalente me rreth 290 milionë fuçi – Franca dhe Gjermania së bashku mbajnë rreth 35%.
Edhe vende më të vogla, si Belgjika dhe Malta, mbajnë një pjesë të rezervave të tyre emergjente në Francë dhe Gjermani.
Kjo ngre një tjetër pyetje: nëse nafta ruhet në një shtet, por i përket një shteti tjetër, kush vendos kur duhet të hapen rezervuarët?
Në fund, vendimet kryesore mbeten në duart e qeverive kombëtare.
Brukseli mund të përcaktojë rregullat, të monitorojë rezervat dhe të koordinojë qeveritë, por Komisioni Evropian nuk mund të urdhërojë thjesht nxjerrjen në treg të miliona fuçive naftë.
Rezervat mbeten nën kontrollin kombëtar. Kjo do të thotë se qeveritë vendosin kur do të përdoren rezervat dhe në çfarë forme do të bëhet kontributi i secilit shtet.
Roli i IEA-së
Për një ndërhyrje të madhe ndërkombëtare, megjithatë, hyn në lojë një tjetër aktor: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Një shtet i vetëm që nxjerr naftë nga rezervat e tij mund të ketë ndikim të kufizuar në një krizë globale furnizimi.
Pikërisht këtu hyn IEA.
Agjencia me seli në Paris koordinon çlirimin e rezervave emergjente mes vendeve anëtare, duke u mundësuar qeverive të nxjerrin sasi të mëdha nafte në treg në të njëjtën periudhë.
“Është IEA ajo që menaxhon aspektin e ndikimit në çmime, ndërsa shtetet anëtare që marrin pjesë në një çlirim të mundshëm përcaktojnë nivelin e transparencës lidhur me produktet konkrete që do të nxirren në treg”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Nëse një krizë furnizimi është mjaftueshëm serioze, bordi drejtues i IEA-së mund të miratojë një veprim kolektiv të koordinuar.
Në këtë rast, 32 shtetet anëtare të agjencisë kontribuojnë në reagimin emergjent.
Ky mekanizëm është aktivizuar tashmë dy herë që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke i vendosur rezervat emergjente të naftës – zakonisht një pjesë pak e dukshme e politikës energjetike – në qendër të përpjekjeve të qeverive për të kufizuar pasojat e konfliktit.
Tani pyetja kryesore është se si do ta realizojë Evropa pjesën e saj të kontributit.
Një takim mes Komisionit Evropian, qeverive të BE-së dhe përfaqësuesve të industrisë së naftës, i cili fillimisht ishte planifikuar për 15 tetor, pritet të zhvillohet “me shumë gjasë në fillim të javës së ardhshme”, tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.
Qëllimi i takimit është të vlerësohet se si vendet e BE-së planifikojnë të përmbushin angazhimet e tyre ndaj IEA-së për nxjerrjen e rezervave të dizelit brenda 20 ditëve të ardhshme, si dhe planet për katër muajt në vijim.
Me pak fjalë
Brukseli vendos rregullat, por nuk kontrollon rezervat.
Rezervat e naftës janë nën kontrollin e shteteve anëtare. Qeveritë kombëtare vendosin kur dhe si t’i përdorin ato, ndërsa IEA koordinon çlirimet e mëdha ndërkombëtare për të frenuar pasojat e një krize globale të furnizimit dhe për të stabilizuar tregjet. /Telegrafi/




