Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë senatoren amerikane Jeanne Shaheen dhe senatorin Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurinë, reformat në vend dhe zhvillimin ekonomik.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se takimi me dy senatorët vjen pas atij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në fillim të këtij viti. Ai theksoi se të dy senatorët i kanë uruar për mandatin e ri qeverisës dhe zgjedhjen e presidentes së Kosovës, duke vlerësuar se këto zhvillime kanë rikthyer stabilitetin e plotë institucional në vend.
Kurti tha se nga senatorët amerikanë ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake.
Duke folur për situatën e sigurisë, kryeministri deklaroi se paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shprehu shqetësim për veprimet dhe deklaratat që i cilësoi si kërcënuese nga Serbia. Ai përmendi gjithashtu atë që e përshkroi si mbrojtje të ndërsjellë ndërmjet ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit.
Në takim Kurti ka thënë se është diskutuar edhe për reformat në arsim, procesin e vettingut në drejtësi dhe krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kryeministri foli edhe për zhvillimet ekonomike, duke bërë të ditur se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit dhe se ky sektor aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Ai theksoi se ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet me mbi 4 për qind, ndërsa paralajmëroi se mandati i ardhshëm qeverisës do të përqendrohet në projekte infrastrukturore dhe zhvillimore, përfshirë hekurudhat, digat, industrinë e mbrojtjes dhe stadiumet sportive, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Burimi: Dukagjini




