Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë takimit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin ka kërkuar mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe shndërrimin e bazës ushtarake Bondsteel në bazë të përhershme.

Në një postim në Facebook, Kurti ka deklaruar se, ndonëse paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, shqetësim mbeten, sipas tij, veprimet dhe deklaratat kërcënuese të Serbisë.
Ai ka përmendur edhe atë që e ka cilësuar si mbrojtje të ndërsjellë mes ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit, të cilin e ka quajtur “kryekriminel terrorist”.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për reformat në arsim, vettingun në drejtësi dhe krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kryeministri ka folur gjithashtu për zhvillimin ekonomik të vendit, duke thënë se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit dhe se ky sektor aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Kurti ka deklaruar se ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet me mbi 4 për qind, ndërsa ka përmendur hekurudhat, digat, industrinë e mbrojtjes dhe stadiumet sportive si fusha ku priten investime gjatë mandatit qeverisës, në funksion edhe të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kurti kërkon nga senatorët amerikanë përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për ta bërë Bondsteel-in bazë të përhershme appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




