Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për inovacion dhe ndërmarrësi, ku përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile kanë paraqitur propozime dhe sugjerime për përmirësimin e tij.

Dëgjimi publik u drejtua nga deputeti Ilir Kërçeli, kryesues i Grupit Punues, i cili tha se janë ftuar të gjitha grupet e interesit me qëllim të zhvillimit të një diskutimi gjithëpërfshirës dhe konstruktiv.
Sipas Kërçelit, synimi është që përmes këtij procesi të përmirësohet përmbajtja e projektligjit, të identifikohen zgjidhje konkrete dhe të avancohet kuadri ligjor që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm.
Në emër të Qeverisë, në dëgjim mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo theksoi se projektligji parasheh krijimin e një strukture të re për zhvillimin e bizneseve dhe mekanizmave mbështetës për ndërmarrësinë, inovacionin dhe investimet.
Kusari-Lila veçoi rëndësinë e këtij projektligji për fuqizimin e kapitalit privat, avancimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorëve dhe krijimin e mundësive të reja për investime, përfshirë edhe ato nga diaspora.
Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, organizatave të shoqërisë civile, Odës Ekonomike të Kosovës, shoqatave të bizneseve dhe Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Pjesëmarrësit paraqitën propozime dhe sugjerime për përmirësimin e projektligjit, duke u fokusuar në avancimin e dispozitave ligjore, lehtësimin e zbatimit të tyre në praktikë dhe harmonizimin me legjislacionin përkatës.
Po ashtu, diskutimet u përqendruan në qartësimin e çështjeve të caktuara dhe përcaktimin e prioriteteve, me synimin që kuadri i ri ligjor të jetë sa më i zbatueshëm dhe efektiv.
Edhe deputetët e Komisionit dhanë komentet dhe qëndrimet e tyre, duke theksuar nevojën për një projektligj të qartë dhe funksional, si dhe për mekanizma lehtësisht të qasshëm që do të nxisin ndërmarrësinë dhe zhvillimin e sektorit të biznesit.




