Kilaj, i cili javën e kaluar u shpall i pafajshëm për akuzat që rëndonin mbi të për pengim të drejtësisë në rastin Thaçi dhe të tjerët, ka treguar se arrestimi i tij më 2 nëntor 2023 ishte krejtësisht i papritur.
Ai ka thënë se rreth orës 04:00-05:00 të mëngjesit, një numër i madh policësh dhe hetuesish kishin trokitur në derën e shtëpisë së djalit të tij në Prishtinë, ku ai po qëndronte atë natë.

“Absolutisht s’kam pasur asnjë ide”, ka deklaruar Kilaj në RTK Prime, duke treguar se autoritetet i kishin njoftuar vetëm për ekzistimin e një urdhërbastisjeje nga Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, bastisja kishte zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit të ditës pasuese. Gjatë kësaj kohe, hetuesit kishin kontrolluar dokumente dhe libra, ndërsa djemtë e tij i kishin shoqëruar gjatë kontrolleve.
Kilaj ka zbuluar se pas bastisjes ishte intervistuar nga hetuesit pa praninë e avokatit, pasi, siç ka thënë, nuk e kishte marrë seriozisht mundësinë se mund të kishte ndonjë problem ligjor.
“Si të pafajshëm e kam ditur që s’mund me pasur kurrgjë dhe s’mund me gjetur asgjë në sirtarët e mi ose në dokumentet e mia”, ka rrëfyer ai.
Gjatë intervistimit, hetuesit e kishin pyetur edhe për emra të dëshmitarëve të mbrojtur të Prokurorisë. Një prej çështjeve që kishte ngritur dyshime ishte një dokument i grisur, i gjetur në shportën e mbeturinave.
Kilaj ka treguar se dokumentin e kishte marrë përmes internetit, nga kureshtja për të mësuar më shumë rreth ish-bashkëluftëtarëve dhe procesit gjyqësor në Hagë. Ai ka thënë se dokumentin e kishte grisur dhe hedhur në mbeturina, ndërsa hetuesit më vonë kishin arritur t’i bashkonin copëzat përmes ekspertizës.
Megjithatë, sipas tij, arsyeja kryesore e interesimit të autoriteteve kishte qenë vizita që ai i kishte bërë Hashim Thaçit më 6 tetor 2023 në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Ai ka deklaruar se biseda gjatë asaj vizite ishte regjistruar dhe se Prokuroria kishte pretenduar se ai mund të ishte i përfshirë në përpjekje për pengimin e drejtësisë.
Në RTK Prime, Kilaj ka rrëfyer edhe momentet e para të transferimit në objektin e EULEX-it në Prishtinë dhe më pas në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke e cilësuar gjithë përvojën si një periudhë të rëndë për të dhe familjen e tij.
Pas një përballjeje trevjeçare me Dhomat e Specializuara, Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat ndaj tij në rastin e pengimit të drejtësisë.
Burimi: RTKLive





