Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara e kanë nominuar Hakeem Jeffriesin si kandidat për kryetar të kësaj dhome, duke i hapur rrugën që në janar të bëhet afroamerikani i parë që mban këtë post në historinë e vendit.

Jeffries mori 251 vota pro dhe 11 kundër në një votim të fshehtë të mbajtur të mërkurën, më 18 nëntor, gjatë një takimi të grupit parlamentar demokrat. Ai ishte kandidati i vetëm për këtë pozitë.
Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjedhjes së tij, pasi demokratët kanë siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve pas fitores në zgjedhjet afatmesme të 3 nëntorit, shkruan reuters.
Megjithatë, nominimi nga demokratët nuk nënkupton zgjedhjen automatike të Jeffriesit. Vendimi përfundimtar do të merret nga e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve, ku më 3 janar 2027 do të votohet për kryetarin e ri.
Demokratët pritet të kenë të paktën 257 ulëse në dhomën me 435 anëtarë, çka e vendos Jeffriesin në një pozitë të favorshme për të siguruar votat e nevojshme.
Përballja me pakënaqësitë brenda partisë
Edhe pse Jeffries nuk pati kundërshtar për nominimin, 11 demokratë votuan kundër tij. Një grup prej shtatë ligjvënësish të rinj progresistë deklaruan se votuan kundër, pasi kërkojnë më shumë angazhime nga udhëheqësi demokrat për drejtimin politik të partisë në Kongresin e ardhshëm.
Ata kërkojnë që udhëheqja e re të përqendrohet në politikat sociale, shëndetësinë, emigracionin dhe çështje të tjera që ishin pjesë e fushatës zgjedhore.
Jeffries, 56 vjeç, është udhëheqës i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2022, kur mori drejtimin e grupit parlamentar pas largimit të Nancy Pelosit nga kjo pozitë.
Nëse zgjidhet në janar, ai do të pasojë kryetarin aktual dhe do të bëhet afroamerikani i parë në historinë e SHBA-së që drejton Dhomën e Përfaqësuesve.
Kryetari i kësaj dhome është një nga pozitat më të rëndësishme në institucionet amerikane, pasi është i dyti në radhën e pasardhjes presidenciale, pas zëvendëspresidentit.
Ndërkohë, demokratët kanë nominuar edhe Katherine Clark për udhëheqëse të shumicës dhe Pete Aguilar për përgjegjës të disiplinës dhe organizimit të votave në grupin parlamentar. Nëse konfirmohen, Clark do të bëhet gruaja e parë në pozitën e udhëheqëses së shumicës, ndërsa Aguilar latinoamerikani i parë në postin e tij. /Telegrafi/





