Sipas njoftimit, takimi u fokusua në zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, progresin në zbatimin e reformave strategjike dhe prioritetet për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.
Guvernatori Ismaili theksoi stabilitetin e vazhdueshëm dhe performancën e mirë të sektorit financiar të Kosovës, duke nënvizuar se sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm, ndërsa sistemi financiar në tërësi vazhdon të dëshmojë stabilitet.

“Guvernatori i BQK-së prezantoi progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së 2024-2028 dhe rekomandimeve që burojnë nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së. Theks i veçantë iu kushtua avancimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjithë sektorin financiar, forcimit të kornizave për stabilitetin financiar dhe menaxhimin e krizave, përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe zhvillimit të kapaciteteve analitike, të parashikimit makroekonomik dhe mbikëqyrëse të BQK-së”, thuhet në njoftim.
Në emër të BQK-së, ai shprehu mirënjohjen për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar dhe reformave institucionale në Kosovë.
Në këtë kontekst, u riafirmua përkushtimi i fuqishëm i BQK-së për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC). Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja tashmë ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë iniciativë.
Tutje theksohet se të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme dhe duke identifikuar mundësi për vazhdimin e asistencës teknike, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin institucional.
Burimi: RTKLive




