Agjencia e lajmeve, AFP, i ka kushtuar një raportim Qamile Marrës, 117-vjeçares shqiptare, e cila mund të jetë gruaja më e moshuar në botë.

Për një grua të lindur nën sundimin osman, e cila mbushi 36 vjet dy javë para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që i mbijetoi diktaturës komuniste në Shqipëri, fokusi mbetet plotësisht te shijimi i jetës.
“Jeta është e bukur, si mali i Tomorrit kur lulëzon”, tha ajo me një buzëqeshje, duke iu referuar një prej majave më të larta të Shqipërisë, ndërsa qëndronte jashtë shtëpisë së saj në Ferras, rreth 100 kilometra në jug të kryeqytetit.
E rrethuar nga pemë frutore, Marra e ka kaluar pothuajse gjithë jetën e saj në këtë fshat, duke kultivuar ushqimin e vet dhe duke u kujdesur për bagëtinë.
“Jeton aq sa ka caktuar Zoti,” tha ajo, me fytyrën e rrudhur thellë, të mbuluar nga një shami e bardhë tradicionale.
Sipas ditëlindjes së shënuar në disa dokumente zyrtare, 19 gusht 1909, Marra do të ishte dy ditë më e madhe se britanikja Ethel Caterham, e cila njihet nga “Guinness World Records”, si gruaja më e vjetër në botë, që është ende gjallë.
Vërtetimi përfundimtar i moshës së personave mbi 110 vjeç (“supercentenarianë”) mund të jetë i vështirë.
Sipas një studimi që fitoi çmimin “Ig Nobel” për vitin 2024 – çmim që u jepet kërkimeve shkencore të pazakonta – shumë nga njerëzit e njohur për jetëgjatësinë e tyre vijnë nga vende ku regjistrimi i të dhënave është i mangët dhe ku dyshohet për mashtrime me pensionet.
Megjithatë, Marra disponon një sërë dokumentesh që duket se e konfirmojnë moshën e saj.
Të afërmit e saj kanë kontaktuar “Guinness”-in dhe zotërojnë një certifikatë lindjeje të lëshuar në vitin 1945, një pasaportë të vitit 1978 dhe një kartë identiteti të kohëve të fundit; të gjitha këto dokumente tregojnë të njëjtën ditëlindje.
Mosha e saj i habiti madje edhe autoritetet vendore, të cilat ia ndërprenë pensionin kur ajo mbushi 100 vjeç, sipas djalit të saj 80-vjeçar, Hysenit.
“Ata nuk besonin se nëna ime ishte ende gjallë,” tha ai, duke kujtuar se si iu desh të paraqiste prova, përfshirë dëshmi nga dëshmitarë, për të rifilluar pagesat.
Në fillim të këtij muaji, qeveria i akordoi asaj një pension të veçantë shtetëror për nder të moshës së saj.
Bashkëshorti i Marrës u nda nga jea 36 vjet më parë, por ajo ende buzëqesh kur flet për dekadat që kaluan së bashku – një martesë e mbushur me dashuri.
“Përndryshe, si do të mund të kisha sjellë në jetë shtatë fëmijë me të?” – thotë ajo.
Tashmë ajo ka parë pesë breza të familjes së saj të rriten përreth saj.
Sytë iu mbushën me lot teksa kujtonte familjarët dhe miqtë që kishte humbur. Por fytyra iu ndriçua kur një mbesë e telefonoi për të biseduar.
“I kam parë të fejohen, të martohen dhe të ndërtojnë shtëpitë e jetët e tyre,” – thotë ajo.
Nga rinia e saj, ajo ka ruajtur vetëm një fotografi: një imazh gati njëshekullor të një gruaje të re, e cila mban një shami të bardhë, krejtësisht të ngjashme me atë që ajo vetë kishte vënë.
“Isha 18 vjeçe!” – thotë ajo. /Klankosova.tv




