Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Prizrenin që nga mbrëmja e së enjtes kanë shkaktuar dëme në disa objekte dhe infrastrukturë, duke paraqitur rrezik për sigurinë e qytetarëve.

Në rrugën “Emin Pasha”, si pasojë e erërave të forta, ka nisur shembja e një shtëpie, ndërsa gjendja e saj paraqet rrezik për kalimtarët dhe banorët e zonës.
Ndërkohë, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Petrit Hoxhaj, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e kulmit të Administratës Komunale, i cili, sipas tij, ka filluar të shkëputet nga vendi.
“Apel organeve kompetente, le të marrin masa urgjente për ta larguar pjesën e llamarinës nga kulmi, sepse rrezikon që dikujt t’i bjerë nga lart dhe të shkaktojë dëme dhe lëndime trupore”, ka shkruar Hoxhaj.
Përveç dëmeve në objekte, në rrugën Prizren–Nashec raportohet edhe për rrëzimin e një shtylle në tokë.
Përmes një njoftimi, shoferëve u është bërë thirrje që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor.
Erërat e fuqishme po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve këshillohen të kenë kujdes në zonat ku mund të ketë rrezik nga objektet apo elementet e dëmtuara të infrastrukturës. /Telegrafi/





