Një konflikt i pazgjidhur mes disa personave në Pejë ka eskaluar të martën në një përleshje ku janë nxjerrë edhe thikat. Një 21-vjeçar ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Pejës me lëndime, ndërsa dy personat e dyshuar për përfshirje në incident nuk janë gjetur nga Policia, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është E.M, rreth 21 vjeç, ndërsa dy të dyshuarit janë Rexhep Zenelaj dhe Drinor Gashi.
Ngjarja ka ndodhur më 24 nëntor, në rrugën “Hysni Rama” në Pejë, ndërsa Policia është vënë në lëvizje pas pranimit të informatës se një person i lënduar me thikë ishte paraqitur në spital.
Pas marrjes së trajtimit mjekësor, Musa ka deklaruar para policëve se tri ditë më parë kishte pasur një konflikt me disa persona, në mesin e të cilëve ishte edhe Rexhep Zenelaj, por rastin nuk e kishte denoncuar.
Të martën, Zenelaj dyshohet se e kishte telefonuar E.M dhe i kishte kërkuar të takoheshin.
Sipas rrëfimit të viktimës, gjatë bisedës ai kishte hedhur në tokë një mjet të mprehtë që kishte me vete, ndërsa Zenelaj kishte nxjerrë një thikë. Në ato momente, E.M e kishte goditur Zenelajn me grusht në fytyrë.
Teksa po largohej, Musa dyshohet se ishte sulmuar me thikë nga personi tjetër, Drinor Gashi.
Pas denoncimit, hetuesit dhe njësia e kriminalistikës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa patrullat policore kanë kërkuar dy të dyshuarit edhe në shtëpitë e tyre, por nuk i kanë gjetur.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
Policia po punon për sigurimin e pranisë së dy të dyshuarve për intervistim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





