Aksioni i Krimeve Ekonomike kundër kontrabandës së dyshuar me barna në Prizren, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi më herët, ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e mijëra paketimeve të produkteve të dyshuara. Operacioni është zhvilluar në dy lokacione, ndërsa informacionet e reja zbulojnë edhe identitetet e personave të arrestuar.

Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht emrat e dy personave që, sipas burimeve të saj, janë arrestuar në lidhje me këtë rast.
Bëhet fjalë për Shaban Hashanin dhe Ozan Findikun, të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtarinë që është bërë objekt i hetimeve.
Siç raportoi më herët Sinjali, hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë zhvilluar kontrolle në dy lokacione në Prizren, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren.
Rreth 2,750 paketime në fokus të hetimeve
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë operacionit janë evidentuar rreth 2,600 paketime në njërin lokacion dhe rreth 150 paketime në lokacionin tjetër, të cilat dyshohet se lidhen me veprimtarinë e kontrabandës.
Sipas informacioneve fillestare, vlera e produkteve të evidentuara në njërin prej lokacioneve është rreth 8 mijë euro.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar vlera e përgjithshme e produkteve të sekuestruara, as lloji dhe prejardhja e secilit produkt.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve për barna dhe produkte të tjera që dyshohet se kanë qarkulluar në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar prejardhjen e mallrave, mënyrën e furnizimit dhe përgjegjësinë eventuale të personave të dyshuar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




