Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar më 8 tetor në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë në shtëpinë e një 56-vjeçareje dhe kanë marrë një armë dhe një palë syze të markës “Louis Vuitton”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ankuesja, P.G., është paraqitur në Stacionin Policor në Gjakovë pasi ka vërejtur se nga dhoma e gjumit i mungonte arma e tipit REX ZERO 1 CP, së bashku me kutinë e saj.
Sipas deklarimit të saj, ajo jeton e vetme dhe kishte ardhur në Kosovë për pushime, ndërsa ka thënë se askush tjetër nuk kishte qasje të rregullt në shtëpi.
Ankuesja ka deklaruar se armën e kishte parë për herë të fundit më 5 tetor, kur ia kishte ndryshuar vendin. Arma nuk mbahej në kasafortë, por në kutinë e saj, të vendosur në një dollap në dhomën e gjumit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ajo ka vërejtur se doreza e dritares së dhomës së gjumit ishte e dëmtuar, çka ka ngritur dyshime se dikush mund të ketë hyrë nga aty.
Vlera e armës, sipas deklarimit të ankueses, është rreth 1,700 euro, ndërsa nga shtëpia mungojnë edhe një palë syze të markës “Louis Vuitton”, me vlerë rreth 800 euro.
Dëmi i përgjithshëm i deklaruar arrin në rreth 2,500 euro.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Personi apo personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Hajnat hyjnë në shtëpinë e 56-vjeçares në Bishtazhin të Gjakovës – marrin armën 1,700 euro dhe syzet “Louis Vuitton” appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




