Shefi ekzekutiv i RTL-së, Stephan Schmitter, ka pranuar se televizioni gjerman ka bërë gabime në menaxhimin e rikthimit të moderatorit dhe producentit të njohur, Stefan Raab.
Raab u rikthye në televizion në shtator të vitit 2024, pas gati një dekade larg ekranit. Rikthimi i tij nisi me një përballje të shumëpritur në boks kundër Regina Halmich, e cila u ndoq nga rreth tetë milionë telespektatorë në RTL.
Megjithatë, pas suksesit fillestar, disa prej projekteve të tij televizive nuk arritën pritshmëritë. Schmitter tha në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” se RTL bëri një “gabim të vjetër në televizion” duke e futur menjëherë Raab në një format të gjatë të përjavshëm.
Bëhet fjalë për emisionin “Du gewinnst hier nicht die Million”, një kombinim mes kuizit dhe late-night show, i cili u ndërpre në qershor të vitit 2025 pas rreth 30 episodesh për shkak të audiencës së dobët.
“U përpoqëm ta çanim murin me kokë”, tha Schmitter, duke pranuar se formati hibrid nuk funksionoi siç ishte parashikuar.
Sipas tij, RTL provoi shumë formate dhe krijoi pritshmëri të larta rreth rikthimit të Raab, gjë që solli edhe kritika pas rezultateve jo të kënaqshme, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, drejtuesi i RTL-së thotë se televizioni ka nxjerrë mësime nga këto përvoja. Sipas tij, publiku e lidh Raab-in veçanërisht me spektaklet e pazakonta dhe sfidat fizike. Një shembull i suksesshëm ishte “Jetski Star WM”, i zhvilluar në gusht të vitit 2026.
Edhe emisioni “Wer weiss wie wann was war?”, të cilin Raab e prezanton së bashku me Barbara Schöneberger, është vlerësuar si një prej sukseseve të tij të fundit. Programi fitoi së fundmi çmimin gjerman të televizionit për “emisionin më të mirë argëtues”.
Schmitter pranon se RTL tashmë e ka kuptuar se Raab funksionon më mirë kur vendoset në situata që përputhen me atë që publiku pret prej tij, ndërsa përpjekjet për ta vendosur në formate krejtësisht të reja mund të rezultojnë të pasuksesshme.
Ndërkohë, kontrata ekskluzive mes Raab dhe RTL vazhdon deri në vjeshtën e vitit 2029 dhe përfshin një vëllim të garantuar prodhimi prej rreth 90 milionë eurosh./Telegrafi/




