Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një person në Gjakovë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale, atë të deklarimit të rremë dhe të shitblerjes së paautorizuar të armëve.

Në njoftim, forcat e rendit kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 30 tetor të këtij viti, pas pranimit të informatës se në një depo (poligon) në Gjakovë, ishin vjedhur armë.
Por, pas hetimeve, sipas policisë, rasti ka marrë rrjedhë tjetër.
“Hetimet kanë rezultuar me ngritjen e dyshimit të arsyeshëm se raportimi i pronarit të depos-poligonit, ka qenë inskenim i vjedhjes dhe se armët në këtë poligon të licencuar janë keqpërdorur përkatësisht janë shitur për palët e treta nga vet pronari i poligonit.”, thuhet në njoftim.
Sipas njofimit, me qëllim të sigurimit të provave shtesë lidhur me dyshimet, organet policore kanë kryer edhe disa kontrolle në tri lokacione në rajonin e Gjakovës.
“…për kryerjen e veprave penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Deklarimi i rremë’, sot më 03.11.2026 njësitet policore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve Rënda, në koordinim me PTH- Gjakovë kanë zhvilluar kontroll në 3 lokacione në rajonin e Gjakovës. Është arrestuar i dyshuari V.C., mashkull kosovar, janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdorën në procedurën penale.”, thuhet në njoftim.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Klankosova.tv




