Një ish-shef i shërbimit sekret gjerman u arrestua të martën nën dyshimet për spiunazh dhe tradhti, në një rast skandaloz për vendin në një kohë kur Gjermania po kërkon të zgjerojë kompetencat e agjencive të saj të inteligjencës.
August Hanning, i cili drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND) nga viti 1998 deri më 2005, akuzohet për spiunazh, tradhti dhe bashkëpunim me shërbime të huaja të inteligjencës, njoftuan prokurorët federalë. Ata nuk treguan se për cilat shtete bëhet fjalë.
Revista gjermane “Spiegel”, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, raportoi se Hanning kishte qenë në kontakt me një operativ të inteligjencës së Azerbajxhanit.
Edhe ish-shefi i stafit të Hanningut, i identifikuar pjesërisht si Manfred D., i cili vazhdoi të punonte për shërbimin sekret deri në mars të vitit 2026, u arrestua.
Ai akuzohet se, gjatë punës për pasuesit e Hanningut, kishte siguruar informacione të klasifikuara dhe ia kishte shitur ish-shefit të tij, i cili punonte si konsulent në sektorin privat.
Më pas, Hanning dyshohet se i ka përdorur këto informacione në punën e tij si konsulent privat, e cila përfshinte përgatitjen e një informimi për një spiun të huaj dhe përcjelljen e informacioneve te një agjent i një shërbimi tjetër të huaj të inteligjencës, thanë prokurorët.
Sipas raportimit të “Spiegel”, informimi ishte përgatitur për spiunin azerbajxhanas.
Hanning akuzohet gjithashtu se ka qenë “në kontakt të ngushtë me një përfaqësues të një shërbimi tjetër të huaj të inteligjencës”, të cilit për disa vite i kishte përcjellë informacione politike, pjesërisht të bazuara në materiale të siguruara nga Manfred D.
Sipas transmetuesit gjerman ARD, informacionet që Manfred D. i kishte përcjellë përfshinin materiale për programin bërthamor të Iranit dhe ushtrinë ruse. ARD citoi burime të sigurisë të kenë thënë se një pjesë e këtyre informacioneve kishte ardhur nga agjenci partnere të inteligjencës jashtë vendit.
Konstantin von Notz, deputet i opozitës nga Partia e të Gjelbërve, i tha AFP-së se akuzat ishin “të rënda dhe thellësisht shqetësuese” dhe kërkoi hetim për “dëmin e mundshëm”.
Deputeti, i cili është gjithashtu anëtar i komitetit parlamentar për mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës, tha se kishte kritikuar vazhdimisht “aktivitetet e dyshimta dhe të gjera lobuese të ish-zyrtarëve të lartë”.
“Ato janë padyshim edhe një pikë hyrëse për shërbimet armiqësore të inteligjencës”, tha ai.
Akuzat dolën në dritë gjatë përfshirjes së Hanningut në rastin e Christina Block, trashëgimtares së një zinxhiri restorantesh, e cila po gjykohet për urdhërimin e rrëmbimit të dy fëmijëve të saj.
Në atë rast, Hanning dhe një ish-polic në pension u akuzuan se kishin pranuar një pagesë prej më shumë se 100 mijë eurosh nga Blocku, në këmbim të kthimit të fëmijëve nga Danimarka, ku ata jetonin me ish-bashkëshortin e saj.
Prona e Hanningut u kontrollua në shtator të vitit 2025, gjë që çoi në hetimin aktual.
Gjermania “nuk do ta tolerojë tradhtinë e sekreteve”, deklaroi Marc Henrichmann, kryetar i komitetit parlamentar për mbikëqyrjen e inteligjencës.
“Kushdo që bashkohet me armiqtë e demokracisë sonë liberale do të zbulohet”, tha ai, duke shtuar se sjellja e pretenduar e Hanningut do të përbënte “shkelje të rëndë të detyrave të tij zyrtare”.
Tradhtia mund të dënohet me burgim të përjetshëm në Gjermani.
Skandali vjen pasi qeveria gjermane muajin e kaluar miratoi një reformë të gjerë të agjencive të inteligjencës, duke u dhënë atyre kompetenca më të mëdha për operacione të fshehta.
BND-ja dhe Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), që merret me inteligjencën e brendshme, kanë pasur kompetenca më të kufizuara se homologët e tyre të huaj. Megjithatë, autoritetet po kërkojnë t’i forcojnë ato për t’u përballur me kërcënimet në rritje, veçanërisht nga Rusia.
Reformat pritet të miratohen nga parlamenti në fillim të vitit të ardhshëm.
Shefi aktual i BND-së, Martin Jaeger, tha se agjencia kishte “kryer shpejt hetime të gjera të brendshme” ndaj Hanningut, përpara se çështjen ta merrnin në dorë prokurorët federalë.
“Për BND-në dhe për mua, nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për sigurinë e brendshme”, tha Jaeger për gazetën “Rheinische Post”, duke shtuar se incidenti “nuk ka vënë në pikëpyetje asnjë nga qëllimet apo prioritetet e mia”.
Të rënda dhe thellësisht shqetësuese
Sipas prokurorëve, Manfred D. i kishte siguruar Hanningut rreth 2 mijë dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara.
Hanningu, i cili shërbeu si zyrtari më i lartë civil në Ministrinë e Brendshme nga viti 2005 deri më 2009, përdori informacione të klasifikuara të inteligjencës “për të hartuar një analizë për një zyrtar të një shërbimi të huaj të inteligjencës”.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse “materiali ka arritur te marrësi i synuar”. /Telegrafi/




