Gjykata e Lartë e Bernës ka rritur në 10 vjet e gjashtë muaj dënimin me burg për një 29-vjeçar, i dënuar për një grabitje brutale ndaj një burri 55-vjeçar në Büren an der Aare.

Sipas mediumit zviceran 20 Minuten, ngjarja kishte ndodhur në maj të vitit 2022, kur i dënuari, së bashku me një bashkëpunëtor, e kishte sulmuar viktimën në banesën e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Fillimisht, 29-vjeçari ishte dënuar me nëntë vjet e gjashtë ditë burgim. Ai e kishte apeluar vendimin, duke kërkuar uljen e dënimit, por Gjykata e Lartë e Bernës e ka refuzuar ankesën dhe ka vendosur një dënim më të rëndë.
Gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja kishte kërkuar që dënimi të mos kalonte tetë vjet burgim, duke argumentuar se trajtimi terapeutik mund të vazhdonte edhe gjatë vuajtjes së dënimit, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, gjykata vendosi që krahas dënimit prej 10 vjetësh e gjashtë muajsh, ndaj të dënuarit të zbatohet edhe një masë terapeutike në institucion të mbyllur.
Sipas raportimit, gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se te 29-vjeçari nuk janë vërejtur shenja pendimi apo motivim i mjaftueshëm për terapi.
Kur gjykatësi shpalli dënimin më të rëndë, i dënuari nuk arriti t’i mbante lotët në sallën e gjyqit./Telegrafi/




