“Të trishtë” e ka quajtur vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

I ftuar në emisionin Rubikon, Malaj ka thënë se ky vendim ka shkaktuar trishtim te shqiptarët kudo që ndodhen, duke ritheksuar qëndrimin se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë për çlirimin e Kosovës.
“Ishte i trishtë vendimi që u mor në Gjykatën Speciale për katër çlirimtarët e Kosovës. Ishte vendim i cili padyshim te shqiptarët, kudo që ndodhen, sjell trishtim. Sepse ne kemi vlerësuar gjithmonë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri që luftoi për Kosovën, lirinë e popullit dhe ky mendim i yni vazhdon të jetë edhe sot, që UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar Malaj.
Duke komentuar zhvillimet lidhur me ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ambasadori ka vlerësuar se kthimi i ligjit për rishqyrtim ka dëshmuar për një konsensus ndërmjet PDK-së dhe LVV-së.
Sipas tij, synimi është që ndryshimet ligjore të mos prodhojnë përplasje juridike dhe ligjore, si dhe të shmangen përplasjet me faktorin ndërkombëtar. Derisa fokusi sipas tij duhet të jetë tek mbrojtja në shkallën e dytë.
“Duhet punuar fuqishëm sa i përket mbrojtjes në apel. Edhe këtu ka një hapë të mirë të qeverisë së Kosovës e të gjitha partive duke formuar grupin punues për të ndihmuar katërshen në hapin tjetër në apel”, tha më tej Malaj. /Klankosova.tv





