Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur se PDK-ja ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për kalimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend, por pa ndërhyrje në përmbajtjen e tij.

Gjatë shqyrtimit të këtij ligji në Komisionin për Legjislacion, të enjten, Deliu-Kodra tha se mes dy subjekteve politike ka pasur negociata për mënyrën se si do të procedohet me ligjin.
Ajo bëri të ditur se PDK-ja ka kërkuar mundësinë e amendamentimit të tij në këtë fazë, por për këtë nuk ka pasur pajtim me shumicën parlamentare, e cila ka interpretuar se Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon një gjë të tillë.
Sipas Deliu-Kodrës, marrëveshja është që ligji të votohet me të njëjtën përmbajtje si në miratimin e parë.
Ligji për Gjykatën Speciale u miratua në lexim të parë më 5 tetor, ndërsa në lexim të dytë mbrëmjen e 6 tetorit, pas një seance të mbajtur në Kuvend në kohën kur jashtë ndërtesës mijëra qytetarë protestonin në mbështetje të tij.
Nismëtare e ligjit ishte PDK-ja, ndërsa në miratimin e tij kontribuoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas kërkesës së PDK-së, duke e rikthyer atë në procedurë parlamentare.
Burimi: Insajderi





