Delegacioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), i udhëhequr nga gjeneralmajor Ferdinant Dimo, ka përfunduar vizitën zyrtare dyditore në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmi është bërë i ditur nga FSK-ja, përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takime dhe diskutime për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Delegacioni shqiptar është pritur nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, së bashku me pjesëtarë të lidershipit të kësaj komande.
Gjatë takimeve është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe mundësitë për avancimin e tij të mëtejshëm, me fokus të veçantë në edukimin, arsimimin dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të të dyja forcave.
Sipas njoftimit të FSK-së, vizita ka shërbyer edhe për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




