Një vajzë vetëm 13-vjeçare, që pas ndarjes së prindërve shkonte herë pas here te babai i saj, dyshohet se është përballur pikërisht aty me sjellje që asnjë fëmijë nuk duhet t’i përjetojë. Një rast i rëndë i dyshuar i ngacmimit seksual brenda familjes është zbuluar në Pejë, ku vajza ka raportuar se babai e kishte ngacmuar seksualisht dhe i kishte shfaqur materiale pornografike.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar të hënën, më 2 nëntor, rreth orës 16:00, ndërsa dyshimet lidhen me ngjarje të mëhershme, kohën e saktë të të cilave ende nuk dihet.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, prindërit e vajzës ishin ndarë dhe ajo qëndronte herë pas here te babai.
Pikërisht gjatë këtyre qëndrimeve, sipas dyshimeve të ngritura, vajza ishte ekspozuar ndaj materialeve pornografike dhe ngacmimeve me natyrë seksuale.
Pas pranimit të informacionit, janë ndërmarrë veprime për trajtimin e rastit, me përfshirjen e profesionistëve kompetentë dhe duke marrë parasysh moshën e mitur të vajzës.
Gjatë intervistimit në kushte të përshtatshme për trajtimin e fëmijëve, 13-vjeçarja ka deklaruar se ishte ngacmuar seksualisht nga babai i saj në forma të ndryshme.
Për rastin është intervistuar edhe nëna e vajzës, ndërsa janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e të miturës.
Vajza është vendosur në strehim të sigurt, nën përkujdesjen e institucioneve kompetente.
Sekuestrohen dy telefona dhe një laptop
Më 2 nëntor, hetuesit kanë kryer kontroll në banesën e personit të dyshuar, ku janë sekuestruar dy telefona celularë dhe një laptop, që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
I dyshuari është shoqëruar për intervistim dhe, në praninë e avokatit mbrojtës, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve” dhe “Sulmi seksual”.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe verifikimin e dyshimeve.
Përtej procedurës penale, në qendër të kësaj ngjarjeje mbetet një fëmijë që ka nevojë për siguri, përkujdesje dhe mbështetje, larg çdo ekspozimi publik që mund t’ia rëndojë edhe më shumë përjetimin.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




