Anglia ka marrë fitoren e tretë radhazi në eliminatore, duke mposhtur Çekinë me rezultat 3-0 dhe duke vazhduar startin perfekt. Pas kësaj fitoreje, anglezët kanë nëntë pikë, ndërsa Çekia mbetet pa pikë pas tri ndeshjeve.
Anglia e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 27-të, pas një autogoli të Vladimir Coufal, i cili në përpjekje për ta larguar topin nga zona e rrezikshme e dërgoi atë në portën e tij.
Epërsinë e vendasve e dyfishoi Harry Kane në minutën e 40-të. Morgan Rogers dërgoi një krosim të saktë në zonë, ndërsa sulmuesi anglez reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në këndin e poshtëm.
Anglia vazhdoi të ishte skuadra më e rrezikshme edhe në pjesën e dytë, ndërsa në minutën e 53-të Kane ishte shumë pranë golit të tretë, por goditja e tij përfundoi në traversë.
Megjithatë, vetëm katër minuta më vonë, kapiteni anglez realizoi sërish. Kane kërceu mbi mbrojtjen pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë e dërgoi topin në këndin e poshtëm, duke çuar rezultatin në 3-0.
Thomas Tuchel më pas bëri disa zëvendësime, duke u dhënë minuta edhe lojtarëve të tjerë, ndërsa Çekia nuk arriti të krijojë ndonjë reagim serioz për ta ndryshuar rrjedhën e takimit.
Me këtë fitore, Anglia shkon në kuotën e nëntë pikëve pas tri ndeshjeve, ndërsa Çekia mbetet në fund me zero pikë. /Telegrafi/




