Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka ritheksuar se zhvillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 13 tetor, DASH-i përsëriti qëndrimin e shprehur në korrik, pa sqaruar nëse Kosova ka bërë përparim drejt përmbushjes së kushteve apo cilët hapa konkretë mbeten për t’u ndërmarrë, transmeton Klankosova.tv.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Ky qëndrim vjen pasi presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kërkoi rifillimin e Dialogut Strategjik gjatë takimit të 12 tetorit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Prishtinë. Sipas njoftimit të Presidencës, ajo theksoi rëndësinë e këtij dialogu për thellimin e partneritetit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës, Shaheen tha se do të ishte shumë mirë që Dialogu Strategjik të rifillonte, ndërsa përmendi si sfida ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit.
Departamenti i Shtetit rikujtoi se SHBA-ja e pezulloi Dialogun Strategjik për një periudhë të pacaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë. Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve paralele serbe që funksiononin në Kosovë.




