Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave nën dyshimet për krim të organizuar, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave, si dhe për vepra të tjera penale që lidhen me armët dhe falsifikimin e parasë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se, nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, kanë vepruar në kuadër të një skeme mashtrimi që përfshinte importimin dhe tregtimin e derivateve të naftës, përdorimin e autoboteve të modifikuara, faturat e dyshuara fiktive dhe deklarimin e pasaktë të qarkullimit dhe detyrimeve tatimore.

Prokuroria vlerëson se përmes kësaj skeme buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 4 milionë e 637 mijë e 893 eurosh e 69 centësh.
Sipas aktakuzës, dy nga të pandehurit, F.M. dhe F.M., dyshohet se kanë organizuar një rrjet bashkëpunëtorësh në Kosovë dhe me shtetas shqiptarë, përmes të cilit bliheshin derivate të naftës nga kompania “G.O.G.” SH.A. në Shqipëri, me qëllim të importimit të tyre në Kosovë.
Prokuroria pretendon se gjatë transportit, në shumicën e rasteve, autobotet zëvendësoheshin me mjete të tjera të modifikuara, të cilat mbusheshin me ujë deri në 90 për qind të kapacitetit. Ndërkohë, një pjesë e derivateve të naftës dyshohet se mbetej për t’u shitur në territorin e Shqipërisë.
Në këtë skemë, sipas aktakuzës, F.K. dhe K.V. dyshohet se kanë bashkëpunuar në importimin dhe deklarimin e derivateve, përfshirë deklarimin e sasive të ujit si naftë dhe lëshimin e faturave për mallra që pretendohet se nuk kanë ekzistuar. Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë kryer përmes bizneseve “E.P.” SH.P.K. dhe “K.O.” SH.P.K., me qëllim të shmangies nga tatimi.
Edhe S.K. dyshohet se ka përdorur biznesin “E.P.” SH.P.K. për të siguruar, lëshuar dhe pranuar fatura të dyshuara fiktive për blerjen dhe shitjen e derivateve të naftës, me qëllim të zvogëlimit të detyrimeve tatimore.
Ndërkaq, N.B., sipas aktakuzës, përmes biznesit “S.” SH.P.K., dyshohet se ka siguruar dhe lëshuar fatura për transaksione fiktive, si dhe ka deklaruar blerje të derivateve të naftës që pretendohet se nuk kanë ekzistuar.
D.M. dyshohet se ka qenë i përfshirë në importimin dhe tregtimin e derivateve përmes bizneseve “V.P.” SH.P.K. dhe “VEDV.G.” SH.P.K. Sipas Prokurorisë, pas shkarkimit të derivateve, autobotet mbusheshin me ujë, i cili më pas shkarkohej në lokacione të ndryshme në Kosovë.
Në anën tjetër, A.M. dyshohet se ka bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë përmes biznesit “C.O.” SH.P.K., duke siguruar ose pranuar fatura të dyshuara fiktive për shitblerjen e derivateve të naftës.
Sipas aktakuzës, S.M. dyshohet se ka mbajtur në emër të tij pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat pretendohet se janë përdorur ose financuar nga persona të tjerë të përfshirë në rast.
M.M. dyshohet se ka pasur rol në organizimin dhe mbikëqyrjen e transportimit të derivateve, përfshirë dërgimin e autoboteve për modifikim në një punëtori në Han të Elezit.
Ndërsa N.M. akuzohet se ka marrë pjesë në transportimin e ngarkesave drejt pikës kufitare të Vërmicës, me qëllim të shmangies së kontrolleve doganore dhe përfitimit material.
G.Q., sipas aktakuzës, dyshohet se ka kryer modifikime teknike në autobote, duke ndërhyrë në ndarjet e brendshme, tubacionet dhe kolektorët, si dhe duke mbyllur ose ndryshuar disa nga daljet origjinale.
Burimi: Dukagjini




