Brenda këtyre pakove të ekspozuara në Prokurorinë Speciale ka substancë narkotike të llojit heroinë.
Aty janë ekspozuar edhe paratë që u sekuestruan, gjatë një aksioni që për qëllim pati shkatrrimin e një grupi kriminal.

“Në total gjatë këtij operacioni policor janë bastisur pesë lokacione dhe objekte përcjellëse. Janë arrestuar pesë të dyshuar, dy nga ta shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas kosovarë. Dyshohet se grupi kriminal sasinë e narkotikut e ka transportuar të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme gjegjësisht Iranit për në Republikën e Kosovës. Në bazë të hetimit të deritanishëm dyshohet se e ka pasur për qëllim tregun jashtë vendit. Vlera e shitjes jashtë Kosovës do ta kalonte shifrën prej 550 mijë eurosh”, ka theksuar Reshat Murseli – Drejtor i departamentit për hetimin e narkotikëve në Polici.
Ky operacion sipas Murselit është koduar me emërimin “Rikthimi”, e u realizua në dy qytete të Kosovës, Prishtinë e Ferizaj.
E prokurori special, Atdhe Dema tha se ndaj pesë të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, duke thënë se hetimet do të zgjerohen.
“Sasia e saktë do të konfirmohet pas analizave të duhura, megjithatë dyshimi i parë është se bëhet fjalë për substanca narkotike dhe atë të llojit heroinë. Bëhet fjalë për grup të mirë organizuar si strukturë kriminale dhe lidhet me veprën penale të ‘Blerjes e shpërndarje së narkotikëve”.
Aksionin e Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në, e ka mirëpritur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në media janë publikuar edhe identitetet e të dyshuarve, e emri i njërit prej shtetasve të huaj, prej tyre rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe me herët në veprimtari të ngajshme në kosovë, me një sasi edhe më të madhe të narkotikut të ngjashëm./TVDUKAGJINI
Burimi: Dukagjini




