Të paktën 10 aeroplanë të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, të destinuar për furnizimin me karburant të avionëve në ajër, janë larguar të hënën nga një bazë tjetër ushtarake amerikane në Britani të Madhe.

Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve, të shqyrtuara nga BBC Verify, aeroplanët KC-135 u nisën nga baza ajrore RAF Mildenhall, në Suffolk të Anglisë, dhe u drejtuan drejt bazave të tjera amerikane në Evropë, si dhe drejt aeroportit Prestwick në Skoci.
Lëvizjet e së hënës vijnë disa javë pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën bombarduesit nga baza RAF Fairford në Britani, pas një incidenti të dyshuar të sigurisë, që besohet se kishte lidhje me Iranin.
Të dhënat e platformës publike Flightradar24 tregojnë se dy aeroplanët e parë u drejtuan fillimisht drejt bazave amerikane në Gjermani dhe Itali.
Njëri u kthye përkohësisht në Mildenhall, përpara se të vazhdonte fluturimin drejt bazës Spangdahlem në Gjermani, ndërsa tjetri fluturoi mbi bazën Aviano në Itali dhe më pas u drejtua gjithashtu për në Spangdahlem.
Tetë aeroplanë të tjerë të tipit KC-135 u larguan nga e njëjta bazë më vonë gjatë ditës.
Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes, e pyetur nga BBC për këto lëvizje, deklaroi se nuk komenton në mënyrë rutinore aktivitetet e shteteve të tjera.
“Avionët dhe asetet e tjera lëvizin rregullisht, në përputhje me kërkesat operacionale”, thuhet në përgjigjen e ministrisë. /Klankosova.tv



