Prishtina po vazhdon me hapa të sigurt drejt objektivit për titullin e kampionit. Skuadra nga kryeqyteti ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire ndaj Vushtrrisë, me rezultat 2-1, duke e çuar në 32 numrin e pikëve dhe duke nisur shkëputjen nga rivalët në garën për kreun e tabelës.

Meritat për këtë ecuri i takojnë edhe trajnerit Orges Shehi, i cili po bën një punë të shkëlqyer që prej ardhjes në krye të skuadrës.
Nën drejtimin e tij, Prishtina është shndërruar në një pretendente serioze për titullin, duke rikthyer entuziazmin dhe besimin se trofeu i kampionit mund të kthehet në kryeqytet pas një kohe të gjatë.
Pas fitores ndaj Vushtrrisë, Shehu e cilësoi ndeshjen si të vështirë, duke theksuar rëndësinë e tri pikëve pas një jave me tri përballje të forta.
“Sigurisht që ishte një ndeshje e vështirë dhe gjej rastin t’i falënderoj tifozët që e vlerësuan ndeshjen dhe erdhën për të na ndihmuar, sepse ndeshjet që duken të lehta në letër bëhen të vështira në fushë. Ishte shumë e rëndësishme për vazhdimësinë që t’i jepnim një mbyllje të mirë gjithë kësaj jave me tri ndeshje të forta dhe na gëzon fakti që arritëm te fitorja”, deklaroi Shehu.
Trajneri i Prishtinës pati fjalë të mira edhe për kundërshtarin, duke vlerësuar shpirtin luftarak të Vushtrrisë dhe mënyrën se si skuadra vendase u përball me kryeqytetasit, pavarësisht kushteve të terrenit.
“Gjej rastin ta falënderoj edhe kundërshtarin, i cili ishte në kufijtë e fair-play-it dhe luajti futboll me shpirt sakrifice, duke e bërë ndeshjen edhe më të vështirë. Sigurisht, kjo edhe për shkak të terrenit, pasi këtu ishte zhvilluar një ndeshje më parë. Komplimente Vushtrrisë, që edhe pse në këto kushte arrin të gjejë forcën dhe të përballet si e barabartë”, shtoi ai.
Një tjetër element që po bie në sy në këtë ecuri të Prishtinës është mbështetja e madhe e tifozëve. Përkrahësit bardhekaltër po e ndjekin skuadrën në numër të konsiderueshëm edhe në ndeshjet si mysafire, duke dëshmuar se entuziazmi për ekipin është rikthyer dhe se kryeqytetasit nuk janë vetëm në rrugëtimin drejt objektivit të madh.
Me 32 pikë në krye të tabelës, Prishtina ka pesë pikë më shumë se Malisheva, që renditet e dyta me 27 pikë. Drita është e treta me 24 pikë, ndërsa Gjilani mban pozitën e katërt me 22 pikë.
Prishtina po e dërgon një mesazh të qartë për rivalët: këtë sezon synon të jetë protagoniste deri në fund të garës për titull. /Telegrafi/




