Arion Kurtaj, i riu me prejardhje shqiptare nga Oxfordshire i Anglisë, ka pranuar fajësinë për sulmet kibernetike ndaj Rockstar Games, kompanisë që qëndron pas videolojës së shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6), si dhe ndaj disa kompanive të tjera të mëdha ndërkombëtare.

Kurtaj, tashmë 21 vjeç, u paraqit të hënën në Gjykatën e Kurorës në Woolwich të Londrës, ku pranoi akuzat për sulmet ndaj Rockstar Games, Uber, Revolut dhe kompanive britanike të telekomunikacionit BT/EE, shkruan The Independent.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), veprat penale janë kryer ndërmjet gushtit të vitit 2021 dhe shtatorit të vitit 2022. Ai pritet të dënohet më 23 nëntor 2026, në Gjykatën e Kurorës në Woolwich.
Kurtaj ishte 17 vjeç kur kreu sulmin ndaj Rockstar Games, në shtator të vitit 2022. Zhvillimi i fundit i rastit vjen vetëm pak ditë para publikimit të planifikuar të GTA 6, më 19 nëntor, transmeton Telegrafi.
Çfarë bëri saktësisht Kurtaj?
Në shtator të vitit 2022, Kurtaj ndodhej në një hotel, pasi ishte në liri me kusht për shkak të sulmeve të mëhershme kibernetike dhe kompjuteri i ishte konfiskuar.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi të hynte në sistemet e Rockstar Games. Sipas prokurorisë britanike, ai përdori një Amazon Fire Stick, pajisjen që lidhet me televizorin për të mundësuar shërbime transmetimi, si dhe një tastierë dhe maus me Bluetooth.
Duke përdorur pseudonimin TeaPotUberHacker në internet, ai arriti të marrë rreth 90 klipe nga versioni ende i papërfunduar i GTA 6, me afro një orë material filmik. Më pas, kërcënoi se do të publikonte edhe kodin burimor të lojës.
Pamjet përfunduan në një forum të fansave të lojës dhe u shpërndanë gjerësisht në internet, shumë përpara se Rockstar ta prezantonte zyrtarisht lojën.
Sipas Rockstar Games, përballimi i pasojave të sulmit i kushtoi kompanisë rreth pesë milionë dollarë, si dhe mijëra orë punë të stafit.
Sulmet ndaj Uber, Revolut dhe BT/EE
Sulmet e Kurtajt nuk u kufizuan vetëm te Rockstar Games.
Gjatë një sulmi të veçantë ndaj platformës Uber, ai u dërgoi punonjësve një imazh të papërshtatshëm, nxori të dhëna konfidenciale dhe fshiu skedarë të brendshëm. Dëmi financiar nga ky sulm i kaloi 2.8 milionë dollarët.
Ai ndërhyri gjithashtu në sistemet e Revolut, duke ekspozuar të dhënat e mijëra klientëve.
Ndërsa sulmi ndaj kompanive britanike të telekomunikacionit BT dhe EE shkaktoi një rritje të shkëmbimeve të paautorizuara të kartave SIM.
Kush është Arion Kurtaj?
Kurtaj ishte anëtar i grupit të hakerëve Lapsus$, i cili është lidhur me sulme kibernetike ndaj kompanive të mëdha ndërkombëtare.
Ai operonte në internet me pseudonimin TeaPotUberHacker dhe ishte pjesë e një grupi që përbëhej kryesisht nga të rinj të përfshirë në krime kibernetike, transmeton Telegrafi.
Prejardhjen shqiptare të Kurtajt e kanë raportuar mediat në Kosovë, ndërsa mediat britanike e përshkruajnë si të ri nga Oxfordshire.
Pse ishte vendosur në spital e jo në burg?
Në vitin 2023, Kurtaj u vlerësua i papërshtatshëm për t’u përballur me një gjykim të zakonshëm për shkak të autizmit të rëndë.
Në atë kohë, juria nuk duhej të vendoste nëse ai ishte fajtor, por vetëm nëse i kishte kryer veprat për të cilat akuzohej.
Pas një vlerësimi psikiatrik, gjykatësi vendosi që ai të qëndronte në një spital të sigurt për një periudhë të pacaktuar, pasi konsiderohej rrezik për publikun për shkak të aftësive të tij në fushën e krimit kibernetik dhe synimit për t’u kthyer në këtë aktivitet.
Gjatë kësaj periudhe, ai ishte përfshirë edhe në incidente të dhunshme me punonjësit gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim, përfshirë disa raste kafshimi.
Çfarë ndryshoi tani?
Një vlerësim i mëvonshëm mjekësor konstatoi se Kurtaj ishte tashmë në gjendje të përballej me procedurat gjyqësore.
Në janar të vitit 2026, ai u transferua nga spitali i sigurisë në një burg të zakonshëm.
Më 16 nëntor, ai u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Woolwich dhe pranoi fajësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
Tani, vëmendja është te seanca e 23 nëntorit, kur pritet t’i shqiptohet dënimi për veprat penale të pranuara./Telegrafi/





