Ish-partnerja e Jake Hall dhe nëna e vajzës së tij, Misse Beqiri, ka ndarë një reagim prekës pas vdekjes tragjike të ish-yllit të “TOWIE”.
Përmes një deklarate për Mirror, përfaqësuesit e saj thanë se në këtë moment Misse është e përqendruar te mbështetja dhe mbrojtja e fëmijës së tyre, teksa po përballen me këtë humbje të rëndë, duke kërkuar privatësi, dhembshuri dhe respekt gjatë kësaj kohe.
Më pas, Misse reagoi edhe në rrjete sociale me një dedikim emocional për Jake Hall, ku shkroi se ai “nuk duhej të largohej” dhe se zemra e saj është e thyer, njësoj si e vajzës së tyre, River.

Ajo e përshkroi si një njeri që “ndriçonte çdo dhomë” me buzëqeshjen, hijeshinë dhe energjinë e tij, duke shtuar se e kishte dashur që në momentin e parë që e pa.
Misse theksoi se së bashku krijuan “vajzën më të bukur”, të cilën Jake e donte më shumë se gjithçka, duke nënvizuar edhe lidhjen e fortë mes tij dhe River: “Ajo të adhuronte – personin e saj të preferuar, babnë e saj”.
Modelja shqiptare premtoi se do ta mbajë River të sigurt dhe të rrethuar me dashurinë që Jake ia jepte pa kursim, duke përfunduar se ai do të jetojë gjithmonë përmes vajzës së tyre.
Misse njihet edhe si pjesë e emisionit “Ladies of London” dhe më herët është shfaqur në “The Real Housewives of Cheshire”.
Sipas raportimeve, ajo dhe Jake u ndanë përfundimisht në vitin 2021, pas rreth pesë vitesh lidhje.
Çifti e bënë publike romancën në 2016, u bënë prindër në 2017 dhe u fejuan në 2018.
Misse ka edhe një djalë nga martesa e mëparshme me ish-portierin e Manchester United, Anders Lindegaard, për të cilin thuhet se Jake kishte luajtur rolin e njerkut.
Pas fejesës, raportimet thonë se Jake u vendos nën urdhër ndalimi pas një debati të ashpër ku u përfshi policia. /Telegrafi/




