Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka reaguar pas protestës së fermerëve, të cilët derdhën qumësht në rrugë dhe lumenj si shenjë pakënaqësie ndaj uljes së çmimit dhe mungesës së mbështetjes institucionale për prodhuesit vendorë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar situatën si të rëndë dhe ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.
“Është për keqardhje pamjet e derdhjes së qumështit në lumenj e në rrugë në këtë kohë, e kjo për shkak të uljes së çmimit dhe mungesës së vizionit për t’i përkrahur prodhuesit vendorë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar edhe ndarjen e mjeteve financiare për organizatat joqeveritare, duke e krahasuar me gjendjen e fermerëve.
“Sot po mbizotëron lajmi i ndarjes së 350 milionë eurove për organizatat joqeveritare të afërta me pushtetin dhe në të njëjtën kohë, fermerët protestojnë për mos trajtim. Kjo nuk do koment, thjesht është marre për këtë situatë”, është shprehur ai.
Haradinaj ka thënë se marrja e masave të menjëhershme është e domosdoshme, ndërsa ka rikujtuar edhe periudhën e vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.
“Kujtojeni taksën 100 përqind ndaj Serbisë dhe rritjen e vlerës së prodhuesve tanë”, ka deklaruar Haradinaj.



