Një nga objektivat e raportuara të Chelseat për postin e trajnerit të ri ka zhvilluar bisedime private me një klub tjetër të Premierligës.
“Blutë” ende po kërkojnë zëvendësuesin e përhershëm të Liam Rosenior, i cili u shkarkua muajin e kaluar.
Trajneri i ekipit të parë, Calum McFarlane, ka marrë përkohësisht drejtimin, por Chelsea pritet të shikojë opsione të tjera për emërimin e ri.
Emra si Andoni Iraola dhe Cesc Fàbregas janë lidhur fuqishëm me këtë post, ndërsa Xabi Alonso është aktualisht pa punë pasi u shkarkua nga Real Madridi dhe, sipas raportimeve, është ende në listën e pagave të klubit deri në fund të sezonit.
Iraola, ndërkohë, ka njoftuar se do të largohet nga Bournemouthi në fund të sezonit, ndërsa Fàbregas po përpiqet të dërgojë Como në Ligën e Kampionëve për herë të parë në historinë e klubit.
Chelsea rrezikon të mbetet pa futboll europian sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht ndodhet në vendin e tetë. Kjo e bën edhe më të vështirë tërheqjen e një trajneri të nivelit të lartë evropian, ndaj klubi mund të shikojë edhe një ish-lojtar për pankinën.
Trajneri i Flamengos, Filipe Luís, i cili ka luajtur për Chelsean në periudhën 2014–2015, është përmendur si një opsion për të ardhmen në “Stamford Bridge”.
Megjithatë, ai aktualisht nuk ka licencën UEFA Pro për të drejtuar në Premierligë, edhe pse raportohet se ka nisur procesin për ta marrë sa më shpejt.
Sipas “talkSPORT”, edhe Crystal Palace ka zhvilluar bisedime me të për të zëvendësuar Oliver Glasner, nëse nuk arrijnë objektivat e tyre kryesorë në merkato.
Fabrizio Romano ka raportuar më herët se Iraola është “i etur” për të marrë drejtimin e Chelseat, megjithëse situata e tij mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve të tjera në tregun e trajnerëve dhe klubeve të mëdha.
Iraola, ish-lojtar i Athletic Club dhe 7-herë reprezentues i Spanjës, ka folur më herët edhe për balancën mes karrierës dhe familjes, duke lënë të kuptohet se vendimet e mëdha në karrierë nuk janë vetëm profesionale, por edhe personale./GazetaExpress/
The post Një trajner që po synohet nga Chelsea, mbanë bisedime me një klub tjetër anglez appeared first on Gazeta Express.




