UEFA ka shqiptuar një dënim të rëndë financiar ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pas ndeshjes së zhvilluar kundër Izraelit më 14 nëntor, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Takimi i zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat 0:0, por sjelljet e evidentuara gjatë kësaj përballjeje kanë bërë që Kosova të ndëshkohet nga organet disiplinore të UEFA-s.
Sipas vendimit të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s (CEDB), FFK-ja është dënuar me gjithsej 42 mijë e 250 euro gjobë për katër shkelje të ndryshme.
Gjobën më të madhe, prej 20 mijë eurosh, Kosova e ka marrë për transmetimin e një mesazhi që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive.
Ndërkohë, 10 mijë euro të tjera janë shqiptuar për sjellje raciste dhe/ose diskriminuese, ndërsa 10 mijë euro për incidentet e shkaktuara gjatë intonimit të himneve kombëtare.
Për hedhjen e sendeve në fushë, UEFA e ka gjobitur FFK-në me 2 mijë e 250 euro.
Përveç gjobave financiare, UEFA ka marrë edhe një vendim për mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri”, përkatësisht sektorit L2 ose një sektori me madhësi të ngjashme në rast se ndeshja e ardhshme zhvillohet në një stadium tjetër.
Megjithatë, ky dënim është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh. Kjo nënkupton se Kosova nuk do të detyrohet ta zbatojë menjëherë mbylljen e sektorit, por mund të përballet me këtë masë nëse përsërit shkelje të tilla gjatë periudhës së përcaktuar.
Kështu, përballja pa gola me Izraelin i ka kushtuar FFK-së një faturë prej 42 mijë e 250 eurosh, si dhe një paralajmërim serioz nga UEFA për sjelljet në stadium.
Burimi: Insajderi





