Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor.

Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar, ku është konfirmuar pjesëmarrja e Kurtit në këtë takim.
Samiti mbledh përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa në fokus të diskutimeve pritet të jenë integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet politike e ekonomike në rajon.
Sipas programit të publikuar nga Këshilli Evropian, aktivitetet do të nisin në orën 17:00 me arritjen e pjesëmarrësve, ndërsa në orën 17:40 është paraparë pritja zyrtare.
Seanca plenare do të mbahet në orën 18:00, e pasuar nga fotografia familjare në orën 19:05.
Në përfundim të seancës plenare, rreth orës 19:15, është paraparë konferenca për media, ndërsa samiti do të përmbyllet me një darkë pune në orën 20:00.
Samiti synon të shërbejë si mundësi për diskutimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





