Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), është takuar edhe me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney.

Sipas njoftimit të Zyrës për Media të Kryeministrisë, Kurti dhe Carney biseduan për marrëdhëniet dypalëshe, për sigurinë dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit.
Po ashtu, sipas njoftimit, kryeministri Kurti e falënderoi për miqësinë dhe përkrahjen e Kanadasë për vendin tonë, për pranimin e mijëra refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, për pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, për kontributin në rindërtim dhe zhvillim, për njohjen e pavarësisë dhe për mbështetjen në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Këtë vit në mars, Kosova me një delegacion qeveritar ishte pjesë e Konventës së Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC) në Toronto, një nga ngjarjet më të mëdha botërore për sektorin e minierave”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Kanadaja, shtet anëtar i NATO-s dhe i G7, është mike dhe partnere e rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta.





