Antonio Conte ka zbuluar arsyet që e bindën të merrte drejtimin e Interit në vitin 2019, si dhe motivet që e shtynë të largohej nga klubi zikaltër menjëherë pas fitimit të titullit të Serie A në sezonin 2020/21.

Trajneri italian ka rikthyer në vëmendje periudhën e tij te Interi në një intervistë për “Cronache di Spogliatoio”, pjesë të së cilës janë publikuar ditët e fundit.
Në një prej fragmenteve, Conte shpjegoi se drejtuesit e klubit kishin një objektiv të qartë: t’i jepnin fund dominimit të Juventusit në futbollin italian dhe ta rikthenin Interin në mesin e skuadrave më të forta edhe në Evropë.
“Beppe Marotta dhe Steven Zhang erdhën tek unë dhe më thanë: ‘Duam të na rikthesh te fitoret. Nuk e kemi fituar kampionatin prej dhjetë vjetësh, duam t’i japim fund dominimit të Juventusit në Itali dhe të imponojmë veten edhe jashtë vendit’”.
Ai shtoi se objektivi i klubit ishte i qartë dhe se të dyja palët nisën një projekt të ri me të njëjtin synim.
“Synimi i klubit ishte i qartë, kështu që nisëm së bashku një rrugëtim të ri. Në çdo situatë, unë jam ashtu siç më shihni. Nëse jemi duke shkuar në një drejtim të caktuar dhe kemi rënë dakord për të, atëherë duhet ta ndjekim atë rrugë”.
Megjithatë, pavarësisht se arriti ta përmbushte objektivin duke fituar titullin e Serie A në sezonin 2020/21, Conte vendosi të largohej nga Interi. Ai zbuloi se arsyeja kryesore ishte ndryshimi i planeve të klubit për të ardhmen dhe mundësia që disa prej lojtarëve kryesorë të shiteshin gjatë verës.
“U largova nga Interi sepse sapo kishim fituar Scudetton dhe patëm një takim ku më thanë se praktikisht çdo lojtar mund të shitej gjatë verës”
Në intervistë, Conte foli edhe për mundësitë e rikthimit te Juventusi. Ai zbuloi se kishte qenë pranë një ribashkimi me klubin torinez në dy raste, por në fund drejtuesit kishin zgjedhur trajnerë të tjerë.
Në vitin 2019, kur Conte ishte i lirë, Juventusi vendosi të emëronte Maurizio Sarri, pas së cilës italiani përfundoi te Interi./Telegrafi/





