Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të mërkurën në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e rritjes së rezervave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shqetësimeve për një ofertë më të madhe sesa kërkesa në tregun global.

Megjithatë, kjo rënie nuk është reflektuar ende në çmimet e derivateve të naftës në Kosovë, ku një litër naftë në Prishtinë vazhdon të kushtojë mesatarisht 1.79 euro.
Ky çmim ka mbetur i pandryshuar që nga 11 nëntori, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, nafta Brent, e cila shërben si referencë për tregjet evropiane, tregtohej me 93.10 dollarë për fuçi rreth orës 13:10 GMT, duke shënuar rënie prej katër centësh.
Ndërkaq, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI), për dorëzim në dhjetor, ra për 1.65 dollarë, apo 1.42 për qind, duke arritur në 84.60 dollarë për fuçi.
Të dy standardet e naftës janë në rrugën e duhur për të regjistruar rënie prej rreth 20 për qind gjatë muajit nëntor, në një periudhë kur janë shtuar eksportet nga Lindja e Mesme.
Një nga faktorët kryesorë që po ushtron presion mbi çmimet është rritja e rezervave të naftës në SHBA.
Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës (API), rezervat e naftës bruto në SHBA janë rritur për 5.28 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 13 nëntor.
Gjatë së njëjtës periudhë, rezervat e benzinës janë shtuar për 5.12 milionë fuçi, ndërsa ato të distilateve, ku përfshihen nafta dizel dhe karburantet për ngrohje, janë rritur për 351 mijë fuçi.
Këto të dhëna kanë shtuar shqetësimet e investitorëve se oferta në tregjet ndërkombëtare mund të tejkalojë kërkesën, duke ndikuar në uljen e mëtejshme të çmimeve.
Në anën tjetër, rënia është frenuar pjesërisht nga tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe nga sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të naftës.
Pasiguria lidhur me sigurinë e transportit detar në këtë zonë vazhdon të përbëjë një faktor rreziku për furnizimin global me energji.
Edhe gazeta amerikane The Wall Street Journal ka raportuar se pritshmëritë për rritjen e furnizimit me naftë, shtimi i prodhimit nga vendet e OPEC+ dhe rritja e rezervave amerikane po ushtrojnë presion mbi çmimet në tregjet ndërkombëtare.
Pavarësisht zhvillimeve në bursat ndërkombëtare, konsumatorët në Kosovë vazhdojnë të përballen me çmime të larta të derivateve të naftës.





