Duket se diçka po mungon nga pasaporta e re biometrike e Armenisë. Të paktën kështu thonë shumë njerëz në vend, të cilët e kanë vënë re një imazh të pazakontë në këtë dokument.
Mes faqeve që paraqesin trashëgiminë dhe kulturën armene gjendet një fotografi e manastirit Khor Virap. Ky manastir i shekullit të XVII-të është i famshëm kryesisht për panoramën mahnitëse të Bjeshkës së Araratit në sfond. Megjithatë, në pasaportë, manastiri paraqitet nga një kënd ku në horizont shihen vetëm male të zakonshme dhe pa identitet të qartë. Kritikët e kanë quajtur këtë imazh të pazakontë “manovër” për ta shmangur përfshirjen e Araratit në dokumentin zyrtar.
Bjeshka e Araratit ndodhet brenda territorit të Turqisë dhe zyrtarisht njihet me emrin turk Bjeshka e Agrit, por në ditët e kthjellëta ai ngrihet dukshëm mbi Jerevan.
Bjeshka, me lartësi 5.100 metra, dikur ishte pjesë e mbretërive të lashta armene, por armenët etnikë u dëbuan nga vendbanimet përreth Araratit gjatë vrasjeve të organizuara nga shteti osman, të cilat janë njohur si gjenocid nga dhjetëra vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Kur kufijtë në rajon u rivizatuan pas Luftës së Parë Botërore, dy majat e Araratit mbetën brenda kufirit lindor të Turqisë moderne.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, la të kuptohej për polemikën rreth paraqitjes së Khor Virapit në pasaportë, duke deklaruar gjatë një transmetimi live rishtazi me ministren e Brendshme Arpine Sargsian se “kemi zgjedhur një këndvështrim të tillë për t’iu përshtatur politikave tona dhe asaj për të cilën kemi diskutuar prej kohësh”.
“Duke qenë se kjo është pasaporta e Republikës së Armenisë, pasaporta pasqyron territorin e Republikës së Armenisë”, shtoi Pashinian.
Mungesa e bjeshkës në pasaporta, të cilat pritet të hyjnë në përdorim në vjeshtën e vitit 2026, vjen pas një vendimi të Qeverisë në fund të vitit të kaluar për t’i hequr ikonat me majat e mbuluara me dëborë të Araratit nga vulat e pasaportave. Ky vendim shkaktoi zemërim në vend, përfshirë edhe një padi të ngritur kundër Qeverisë.
Politikani opozitar, Hayk Mamijanian, dënoi heqjen e bjeshkës nga vulat e pasaportës, duke u thënë gazetarëve se “është e pabesueshme me çfarë zelli Pashinian është i gatshëm t’i bëjë qejfin Turqisë apo Azerbajxhanit”.
Qëkurse Azerbajxhani e rimori me forcë ushtarake rajonin e Nagorno-Karabakut në vitin 2023, Armenia ka kërkuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Azerbajxhanin fqinj dhe me Turqinë, të dyja armike historike të Armenisë.
Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan paraprakisht një marrëveshje paqeje në vitin 2025, e cila përfshin një klauzolë që ua ndalon secilit vend të bëjë pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrit. Turqia, aleate e ngushtë e Bakusë, ka kundërshtuar prej kohësh përdorimin e Araratit si simbol kombëtar armen, përfshirë edhe në stemën e Republikës Sovjetike të Armenisë.
Joshua Kucera, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se imazhi i Khor Virapit duket të jetë “pjesë e narrativit më të gjerë të ‘Armenisë reale’ që [Pashinian] po promovon, duke u përpjekur të përqendrojë vëmendjen e armenëve te çështjet brenda kufijve të tyre aktualë dhe jo te ‘Armenia historike’ jashtë tyre”.
Eksperti i Kaukazit thotë se kjo përpjekje për riformulim përfshin edhe rajonin e rimarrë të Nagorno-Karabakut në Azerbajxhan.
Disa druhen se një synim edhe më i rëndësishëm i Qeverisë së Pashinianit mund të jetë stema aktuale e Armenisë, e cila ka në qendër Bjeshkën e Araratit, mbi të cilin ndodhet Arkën e Noes. Sipas besimit të disa të krishterëve, anija mitike u ndal mbi malin Ararat pas përmbytjes biblike. Në vitin 2023, Pashinian e kritikoi stemën duke thënë se ajo përfaqëson “një dualitet mes Armenisë historike dhe Armenisë reale”.
Edmon Marukian, politikan dhe ish-aleat i kryeministrit armen, e quajti heqjen e Araratit nga vulat e pasaportës në vitin 2025 një pararendëse të mundshme të ndryshimit të stemës së Armenisë. “Heqja e [Araratit] do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës dhe të ligjit”, theksoi politikani, duke shtuar: “A jemi ne, si qytetarë, gati ta tolerojmë këtë?”
Në prill, Shërbimi armen i Radios Evropa e Lirë e pyeti Pashinianin për mundësinë që Ararati të hiqet nga stema. Kryeministri u përgjigj vetëm se: “Unë nuk po e shtroj një pyetje të tillë”./Radio Evropa e Lire



