Telegrafi prej javësh ka raportuar për dy çështje që lidhen me shqetësimet e qytetarëve e që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore: funksionalizimin e rrugës deri në Çakorr e hapjen e një pike kufitare, si dhe rrëshqitjet e dheut e bllokimin e korsive në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Lidhur me këto tema, pyetje janë drejtuar në Ministrinë e Infrastrukturës, të udhëhequr nga ministri në detyrë, Dimal Basha.
Ministria ka heshtur për çështjen e Çakorrit dhe hapjen e pikës kufitare, ndërkaq ka thyer përgjigje për rrëshqitjen e dheut dhe bllokimin e korsive në autostradë.
Çakorri, protestë për rrugën dhe pikën kufitare
Çështja e Çakorrit u rikthye fuqishëm në opinion në prag të protestës së paralajmëruar më 25 prill, e organizuar nga banorë dhe aktivistë nga Peja, Deçani, Plava, Gucia, me kërkesën kryesore funksionalizimin e rrugës dhe hapjen e pikës kufitare që do të shkurtonte distancën ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Në raportimet e Telegrafit para protestës, Komuna e Pejës theksoi se rruga Pejë–Kuçishtë–Çakorr është rrugë regjionale dhe çështje në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, sidomos për shkak se lidhet me dy shtete.
Ndërkohë, si medium tentuam të marrim qëndrim nga kjo ministri, por edhe pas publikimit të raportimeve nuk pati përgjigje.
Në ditët para protestës, aktivistë e përfaqësues të shoqërisë civile theksuan se kërkesa për hapjen e pikës kufitare (përgjegjësi kjo nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme – por as këtu Telegrafi nuk ka marrë përgjigje) është e kahershme, ndërsa hapja e saj do të ndikonte në qarkullimin e banorëve, lidhjet familjare ndërkufitare dhe turizmin në Rugovë e në zonat përreth.
Protesta u mbajt në Çakorr nën sloganin “Mjaft me izolim!”, ku organizatorët kërkuan që rruga të bëhet e kalueshme dhe të hapet pika kufitare.
Njëri nga organizatorët, Muhamet Nikqi, e cilësoi situatën si një pengesë të vazhdueshme të lëvizjes, duke thënë se është krijuar një “tampon” në zonën kufitare që e pamundëson qarkullimin, si të ishte një Mur i Berlinit.
Edhe pas protestës dhe pas raportimeve të njëpasnjëshme, Ministria e Infrastrukturës nuk ka bërë të ditur publikisht se cili është plani, a ka vendim për funksionalizim të rrugës.
Autostrada “Ibrahim Rugova”, shqetësime për korsi të bllokuara dhe rrëshqitje dheu, sërish pa sqarim institucional
Tema e dytë lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova” (Prishtinë–Prizren), ku qytetarët kanë raportuar dhe dërguar ankesa për segmente me korsi të bllokuara nga dheu dhe mbeturinat, duke e cilësuar qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm, veçanërisht në hyrje dhe dalje të Suharekës, ku sipas tyre krijohen edhe kolona të gjata gjatë fundjavave.
Në këto raportime, qytetarët ngritën pyetjen se pse për javë e muaj nuk është ndërmarrë pastrim dhe funksionalizim i plotë i korsive të bllokuara, duke kërkuar ndërhyrje urgjente, sqarim publik për arsyet e vonesës dhe masa që situata të mos përsëritet.
Kjo çështje mori edhe më shumë peshë pas aksidentit të 12 dhjetorit 2025 në kilometrin e 26-të të autostradës, ku si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe një kamioni humbën jetën dy gra, ndërsa një person tjetër mbeti i lënduar.
Raste të tilla kanë shtuar kërkesat e qytetarëve që segmentet problematike të trajtohen si çështje sigurie, jo vetëm mirëmbajtjeje rutine.
E lidhur me këtë çështje Telegrafi mori përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës.
“Ju njoftojmë se procedura e prokurimit lidhur me kontratën për trajtimin e skarpateve aktualisht ndodhet në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Përderisa lënda është në këtë procedurë, ne jemi të obliguar të veprojmë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe të respektojmë afatet e parapara.
Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e mirëmbajtjes së terrenit, sigurisë publike dhe nevojën për ndërhyrje të vazhdueshme në zonat ku ka rrëshqitje të dheut, deri në përfundimin e procedurës në OShP dhe krijimin e kushteve për realizimin e kontratës kryesore, do të bëhet largimi i dheut dhe intervenimet e nevojshme përmes kontratave të mirëmbajtjes që janë nënshkruar së fundmi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Tutje, nga Ministria e Infrastrukturës thanë për Telegrafin se qasja e tyre mbete që pavarësisht procedurave administrative në zhvillim, të mos lejojnë krijimin e vështirësive për qytetarët apo cenimin e sigurisë në terren.
“Qasja jonë mbetet që, pavarësisht procedurave administrative në zhvillim, të mos lejojmë krijimin e vështirësive për qytetarët apo cenimin e sigurisë në terren. Për këtë arsye, ekipet përkatëse do të jenë të angazhuara vazhdimisht, në mënyrë që situata të menaxhohet me përgjegjësi dhe në përputhje me interesin publik”, thuhet në përgjigje.
/Telegrafi/.



